Euro barometri i vjeshtës, mbështetje rekord për euron dhe BE-në

euro

Euro barometri më i fundit tregon një rritje të qartë të mbështetjes së qytetarëve për projektin evropian dhe për monedhën e përbashkët. Gati tre të katërtat e evropianëve, 74%, besojnë se vendet e tyre kanë përfituar nga anëtarësimi në BE, ndërsa mbështetja për euron ka arritur nivelin më të lartë historik – 74% në BE dhe 82% në Eurozonë.

Optimizmi për të ardhmen e Bashkimit mbetet i lartë, me 59% të qytetarëve që shohin pozitivisht perspektivën evropiane. Edhe besimi te institucionet evropiane mbetet i fortë: 48% i besojnë BE-së në një kohë sfidash të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike.

Në planin ekonomik, qytetarët kërkojnë një Europë më të qëndrueshme dhe më të aftë të mbrojë interesat e saj. 83% mbështesin forcimin e pavarësisë ekonomike, duke kërkuar diversifikim të partnerëve tregtarë dhe zinxhirëve të furnizimit. Kjo lidhet ngushtë me shqetësimet e tyre për ekonominë: ndërsa perceptimet janë të ndara, 46% e shohin situatën të mirë dhe 46% të keqe – shumica mendojnë se ekonomia do të mbetet e qëndrueshme në 12 muajt e ardhshëm.

Prioritetet ekonomike që qytetarët kërkojnë për buxhetin e BE-së lidhen drejtpërdrejt me sfidat sociale: punësimi dhe politikat sociale renditen të parat, të ndjekura nga arsimi e rinia, si dhe mbrojtja dhe siguria.

Në sfondin e luftës në Ukrainë, shumica mbeten pro mbështetjes ekonomike dhe humanitare, ndërkohë që Rusia dhe pasojat e saj gjeopolitike konsiderohen rreziku kryesor për ekonominë dhe sigurinë evropiane.

Sondazhi u zhvillua në tetor nëntor dhe përfshiu mbi 26 mijë qytetarë të BE-së.