Ervin Salianji fiton lirinë pas 9 muajsh në qeli, kreu 2/3-tën e dënimit për kallëzim të rremë
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka fituar lirinë pas më shumë se 9 muajsh në burg.
Gjykata e Fierit mori sot (8 korrik) vendimin për lirimin me kusht të ish-deputetit, duke qenë se ai e ka kryer 2/3-tën e dënimit në burgun e Fierit. Vendimi i trupës gjykuese për Salianjin erdhi fill pas dakordësisë së dhënë nga prokurori Genc Mane dhe raportit pozitiv nga Shërbimi i Provës.
I pranishëm në seancën e sotme ka qenë dhe vetë Salianji. Pasi u njoh me vendimin e Gjykatës, ai doli nga salla i qeshur dhe i shoqëruar nga trupat policore, duke bërë me dije se në orën 17:00 do të dalë në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.
Ndërsa Ledio Braho, avokati i Salianjit, deklaroi për mediet se procesi mbi klientin e tij ka qenë i padrejtë prej fillimit, ndërsa arrestimin e tij e konsideroi një vendim politik.
“I gjithë procesi për mendimin tim është krejt i padrejtë. Ai ishte dënim politik dhe i burgosur politik, por sot arritëm që të shkurtonim nga vuajtjet e dënimit me burgim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që ai duhet të lirohet brenda ditës së sotme, pra lirim i menjëhershëm. Zoti Salianji sqaroi që gjithmonë beteja e tij ka qenë për interesin publik dhe do të mbetet vetëm për interesin publik”, sqaroi Braho.
Kujtojmë se më 26 shtator 2024, Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit.
Në 2018-tën ai publikoi materiale të prezantuara si audiopërgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Nga hetimet e rezultoi se materiali ishte i montuar dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.
Salianji qëndroi i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Salianji e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.
Në muajin mars, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin kundër dënimit me 1 vit burg, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si tetorin e kaluar kundrejt pezullimit të dënimit me burg.
