Endri Shabani zgjidhet Avokat i Popullit, opozita braktis procesin e votimit

endri parlamnt

Kuvendi ka zgjedhur Endri Shabanin në detyrën e Avokatit të Popullit, me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Votimi ishte i fshehtë. Opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit.

Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit.

Në garë për këtë pozicion ishin gjashtë kandidatë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Skëndër Haluci, Taratar Bazaj, Endri Shabani.

Gjatë debatit maratonë në Kuvend, mazhoranca deklaroi se nuk kishte firmosur për asnjë prej kandidatëve të propozuar, duke e lënë procesin në dorë të opozitës. Nga ana tjetër, opozita njoftoi se kishte tërhequr firmat nga të gjitha kandidaturat, ndërsa akuzoi mazhorancën për “pazar politik” me Endri Shabanin me synimin që Avokatin e Popullit ta zgjidhte Partia Socialiste.