Elvin Gogaj prezanton platformën për SPAK: 4 shtylla kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Prokurori i Posaçëm, Elvin Gogaj, është i treti kandidat që ka paraqitur platformën e tij për drejtimin e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë këtë të enjte, më 11 dhjetor.
Me një karrierë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Gogaj tha se kandidimi i tij nuk është thjesht për një detyrë, por për marrjen e një përgjegjësie të madhe.
“Platforma ime bazohet në një përvojë profesionale 26-vjeçare në fushën e drejtësisë. Qëndroj para jush jo për një detyrë, por për të marrë një përgjegjësi. Veprimtaria ime do të bazohet në luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme, ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimin e besimit të publikut,” u shpreh Gogaj.
Ai theksoi se drejtimi i ri i SPAK nuk nis nga zero, por mbështetet mbi themelet e konsoliduara nga drejtuesit e mëparshëm.
“Mandati i drejtuesit të ri mbështetet në një themel të konsoliduar nga drejtuesit e mëparshëm. Karriera ime ka nisur nga niveli bazë i hetimit, si oficer i Policisë Gjyqësore, më pas si prokuror dhe drejtues në shkallë të parë e në apel, dhe tani në Prokurorinë e Posaçme. Kjo përvojë e larmishme më ka pajisur me aftësi organizative, hetimore dhe menaxheriale për të drejtuar me integritet dhe efikasitet këtë institucion,” tha ai.
Gogaj nënvizoi se SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u bazuar vetëm në prova dhe masa proporcionale me objektin e hetimit.
“Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publikë dhe çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcionalitet me objektin e hetimit. Bashkëpunimi im do të bazohet në grup,” shtoi ai.
Duke folur për pikat e tij të forta, Gokaj renditi “punën, integritetin dhe mirënjohjen ndaj njerëzve që derdhin djersë për këtë vend”, ndërsa pranoi se dobësia e tij kryesore është njohja e kufizuar me programet kompjuterike.
Megjithatë, ai u shpreh se kjo sfidë do të kapërcehet me ndihmën e ekspertëve teknikë brenda institucionit:
“Drejtimi im do jetë vetvetja. Kam qenë mbi 10 vite drejtues në shumë rrethe të Shqipërisë. Unë do marr praktikat më të mira të kolegëve të mi paraardhës. Praktikat më të mira është puna në grup. Pavarësisht se struktura e posaçme ka 20 prokurorë, e vetmja gjë që mund të bëjë drejtuesi është që t’u rri në mbështetje prokurorëve. Nuk do ushtroj asnjë ndikim te prokurorët.
Pikat e mia të forta: puna, integriteti, mirënjohja ndaj njerëzve që punojnë dhe që derdhin djersën për këtë vend. Pika e dobët janë programet kompjuterike, të cilat kanë avancuar kohët e fundit, por me ndihmën e ekspertëve brenda strukturës do ta kalojmë këtë fazë”, tha ai.
Shtyllat e vizionit të tij për drejtimin e SPAK janë.
Lufta e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Konsolidimi i institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore
Forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë
Rritja e besimit të publikut
Profili – Kush është Elvin Gogaj?
Studimet: 1994–1998, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Emërimi si prokuror: 5 dhjetor 2000
Detyrat e mbajtura:
2000–2007: Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat
2007–2012: Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan
2013–2014: Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës
2014–2021: Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër
2021–aktualisht: Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
