Elbasani-Vllaznia në RTSH, Brdariç: Ndeshja më e fortë e sezonit, krenar për atë që kemi arritur

Brdariç

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Elbasanit, që do të luhet nesër në orën 15:30 dhe do të transmetohet në RTSH Sport.

Tekniku i shkodranëve vlerëson kundërshtarin, por thekson se skuadra e tij është brenda objektivave dhe se gjithçka është arritur me punë.

“Nesër me Elbasanin mund të jetë ndeshja më e fortë e sezonit, përballemi me një nga ekipet më të forta të Superligës, kanë pasur një seri të gjatë fitoresh, kemi një sfidë shumë të bukur dhe të provojmë që të mos lejojmë ata të hyjnë në “Final Four”.

Për mua është diçka speciale ajo që kemi arritur, privilegj që kemi arritur këtu, janë disa ndeshje ose pikë që mund të kishim marrë, gjithmonë ka diçka që mund ta rrisim. Jam shumë i lumtur që Vllaznia është në këtë situatë, në aspektin personal nuk kam shumë kohë që të mendoj për sezonin e ardhshëm dhe fokusi është vetëm këtë javë.

Kemi ndeshje të forta dhe objektivi kryesor ishte sigurimi i “Final Four”, e dyta sigurimi i Europës që mund të jetë këtë javë dhe e treta që e kemi në mesjavë, të shkojmë në finalen e Kupës, por jam i sigurt që ekipi i Vllaznisë bashkë me bordin në sezonin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin pozicion si këtë sezon”, ka thënë mes të tjerash Brdariç.