Ekstradohet nga Dubai 37 vjeçari, i akuzuar për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal
Policia e Shtetit ka njoftuar për finalizimin e ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar D.B. i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.
Sipas një njoftimi bëhet me dije se për 37 vjeçarin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën “arrest në burg” për vepra penale si “vrasja me paramendim” në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “mbajtja pa leje e armëve”, “grupi kriminal” dhe “sigurimi i kushteve për kryerje vrasjeje”.
Shtetasi D.B mbërriti nën masa të rrepta sigurie në RINAS ku iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve, ndërsa është shoqëruar nga forcat speciale për në paraburgimin 313.
Ai, u arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020.
Rreth orës 16:30 të ditës së sotme, procedurat e ekstradimit u përmbyllën dhe i kërkuari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
