Ekskluzive në RTSH – “Miss Shqipëria 2025”, kurorëzohet sonte mbretëresha e 27-të në Amfiteatrin e Liqenit

“Miss Shqipëria 2025”, eventi më i madh mbarëkombëtar i bukurisë shqiptare, kurorëzon sonte mbretëreshën e 27-të të bukurisë shqiptare në një mbrëmje të jashtëzakonshme që do transmetohet drejtpërdrejt në RTSH nga Amfiteatri i Liqenit Artificial në Tiranë në orën 20:35.
Me pjesëmarrjen e bukurosheve nga veriu në jug, si edhe nga diaspora, spektakli i këtij viti vijon traditën e më shumë se dy dekadave të këtij konkursi të rëndësishëm kulturor. Producenti dhe regjisori Petri Bozo ka shpallur nisjen e një etape të re për këtë event, që pas 26 vitesh udhëtimi mes monumenteve të trashëgimisë kulturore, do të zhvendoset në parqet kombëtare të Shqipërisë, duke e sjellë bukurinë shqiptare më pranë natyrës dhe peizazheve të saj unike.
Ky edicion ka kaluar përmes një turi turistik e filmik nga juglindja deri në bregdet, me realizime artistike nën konceptin “Liqen – Lum – Det”, ku 25 vajzat finaliste përfaqësuan me krenari format e bukurisë, kulturës dhe natyrës shqiptare. Ato janë përqendruar ditët e fundit në Tiranë për përgatitjet finale, me prova intensive në skenë dhe xhirime në pika të ndryshme të qytetit.
Mbrëmjen e sotme, spektakli do të moderohet nga Ermal Peçi, Drita Ziri dhe për herë të parë në rolin e prezantueses, Ema Hila, ish-miss Shqipëria 2023 dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss Supranational” në Poloni.
Shfaqja do të shoqërohet nga performanca të artistëve të njohur si Kejsi Tola, Renis Gjoka, Devis Xherahu, Eranda Libohova, Ledina Çelo, Alis e shumë të tjerë.