Ekskluzive/ Ekipi shqiptar niset për lojërat olimpike dimërore në Milano-Kortina. Toçi: Pretendojmë medalje olimpike
Ekipi shqiptar i skive niset sot drejt Italisë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina. Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, e ka quajtur këtë një emocion të madh dhe një mundësi të rëndësishme për të shkruar histori.
“Pjesëmarrja në këtë event është një mundësi e jashtëzakonshme, pasi është një ngjarje ku të gjithë sytë e botës do të jenë drejt Shqipërisë për herë të parë. Kemi mundësi reale për të fituar medalje, pasi ekipi ynë ka punuar pa pushim për katër vite dhe është gati për të konkurruar në nivelin më të lartë”, tha Toçi.
Në fokus të garave do të jetë skijatorja që përfaqëson Shqipërinë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe ka pretendime të mëdha për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku Lara do të garojë për të sjellë një medalje në vendin e saj.
Këto gara do të transmetohen ekskluzivisht në RTSH, si televizioni kombëtar shqiptar. Presidenti i federatës Toçi shprehu gjithashtu vlerësim për televizionin publik, që ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e popullaritetit të sporteve dimërore në Shqipëri.
“Puna e katër viteve do të reflektohet në dy gara, që do të zhvillohen më 15 dhe 18 shkurt, ku Lara Colturi do të luftojë për të sjellë një medalje për Shqipërinë. Organizohen tre ceremoni të ndryshme: një në Milano, që është më e madhja, dhe një në Kortina. Aty, së bashku me Larën, do të mbajmë flamurin shqiptar dhe Borno. Ne nuk po flasim vetëm për statistika, por Lara Colturi, e cila renditet sot e pesta në botë, ka pretendime të mëdha për të fituar medaljen olimpike.
RTSH ka bërë histori dhe jemi shumë krenarë që ky sport ka marrë kaq shumë popullaritet, falë televizionit shqiptar. Është bërë njësoj si futbolli, që ndjek një audiencë e madhe”, tha Toçi
Në përurimin e Lojërave Olimpike do të organizohen tre ceremoni: një në Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajnë flamurin shqiptar dhe një tjetër në Borno.
