“E turpshme që po mbahet ende në burg”, Richard Grenell reagon për Hashim Thaçin
Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme dhe ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Prishtinë–Beograd, reagoi sërish për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, ai e ka quajtur të turpshëm faktin që Thaçi vazhdon të mbahet ende në burg në Hagë, ndërsa kujtoi se ish-prokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, që hetoi edhe presidentin Trump, e arrestoi atë në vitin 2020.
“Jack Smith, po pikërisht ai që mendoni, e arrestoi Thaçin në vitin 2020 kur Donald Trump po punonte për marrëveshjen Kosovë–Serbi. Është e turpshme që ai ndodhet ende në burg. Është një farsë. Gjykata e Hagës ka dështuar,” shkruan Grenell.
Reagimi i tij erdhi pas intervistës së ish-presidentit Thaçi për televizionin Klan Kosova, ku u shpreh se rikthimi i presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Trump është i përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim mes popujve,” deklaroi Thaçi në intervistë, ku ndër të tjera u shpreh se ky është çmimi i përballjes së mëhershme me tiraninë.
“Unë sot jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht,” tha ish-presidenti.
Më 15 shtator në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të nisë paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Thaçi dhe krerëve të tjerë të UÇK-së.
