E akuzuan se sulmoi gazetarin grek, Rama i përgjigjet mediave në Athinë: Fjali e thënë me humor, u nxorr nga konteksti dhe u kthye në polemikë publike me pathos nacionalist
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas disa shkrimeve të mediave greke të cilat e cilësuan sulm komentin e Ramës ndaj gazetarit John Defterios i cili moderonte diskutimin në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.
Rama sqaron se gjithçka ka qenë me nota humori dhe se fjalia e tij është shkëputur nga konteksti duke u kthyer në polemikë publike.
Ai shton se, Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian, dhe se populli grek për të, është një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar, duke shprehur konsideratë të veçantë për homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po. Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, shkruan Rama në rrjëtin social X.
Një ditë më parë, kryeministri Rama iu drejtua me humor gazetarit grek se “Ti gjithmonë i nënvlerëson njerëzit. Mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe se je trashëgimtar i Platonit dhe Aristotelit. Por nuk je”, pasi moderatori John Defterios nuk i shqiptoi në mënyrë korrekte emrat e kryeministri Edi Rama dhe homologut të tij malazez Milojko Spajiç.

/rtsh.al/
