Dyshohet se ka kryer 11  vjedhje, 7 nën kërcënimin e armës, arrestohet 30-vjeçari në Lezhë

lezhe hajdut

Një 30-vjeçar është arrestuar këtë të hënë (26 janar) në Lezhë, i dyshuar si autor i 11 vjedhjeve, të kryera gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti.

Sipas policisë, 30-vjeçari me inicialet E. N., alias E. Ll., banues në Mamurras dyshohet se ka vjedhur dy karburante, një dyqan dhe 4 taksistë nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër.

Po ashtu, ai ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa. Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”.

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular. 42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe një person me inicialet A.L., i cili dyshohet si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.