Dy të arrestuar për trafik armësh nga Kosova, kreu i Policisë, Ilir Proda: Ishin burimi kryesor i ngjarjeve kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shpërndarë një mesazh pas finalizimit me sukses të disa operacioneve policore të rëndësishme, ndër to edhe operacioni i fundit i Policisë së Kukësit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, që çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe arrestimin e dy shtetasve nga Kosova.
“Operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri, janë një dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit. Po ashtu, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.”- shprehet Proda
Proda shpreh falënderimin dhe vlerësimin për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit.
“Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar.”
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si një model suksesi rajonal dhe bëri thirrje për mbështetje dhe besim nga qytetarët.
“Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona. Faleminderit strukturave të Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
Proda e mbyll mesazhin e tij duke thënë se, “Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme.”