Dy drejtues të lartë të policisë nderohen me titullin “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë”

Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë

Presidenti i Republikës së Italisë dekoron me titullin “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë”, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Drejtorin e Drejtorisë së Anti-terrorit.

Ceremonia e nderimit u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Italisë dhe titujt e akorduar iu dorëzuan Drejtues i Lartë Neritan Nallbatit dhe Drejtues Alban Dautajt, nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.

“Puna e përbashkët midis Policisë italiane dhe asaj shqiptare është një nga arsyet kryesore që forcon bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Dy drejtuesit që sot marrin dekoratën janë elemente shumë të rëndësishme të Policisë së Shtetit shqiptar, si dhe përfaqësues të çmuar të bashkëpunimit me Italinë. Është një nder i veçantë që t’iu dorëzojmë sot, këto dekorata”, tha ambasadori Alberti.

Titujt, vlerësim i lartë për kontributin që kanë dhënë strukturat respektive të Policisë së Shtetit, në marrëdhëniet policore bilaterale dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Konkretisht, Neritan Nallbati u vlerësua për kontributin e tij vendimtar në forcimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë, përmes veprimtarive të përbashkëta operative, krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe ndalimit të shtetasve të rrezikshëm, në kërkim nga drejtësia italiane.

“Një bashkëpunim i ndërtuar mbi besim, profesionalizëm, sinqeritet dhe përkushtim të ndërsjellë, që është konkretizuar me veprimtari të përbashkëta në terren dhe me përballje me sfida të përbashkëta. Faleminderit nga zemra, Presidentit të Italisë, për këtë vlerësim, si dhe faleminderit Drejtorit të Përgjithshëm, për mbështetjen në forcimin e bashkëpunimit mes dy policive”, tha Nallbati.

Ndërsa Alban Dautajt u vlerësua me motivacionin, bashkëpunim i përditshëm me Policisë italiane, kontribut në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe krijim të grupit trepalësh “Skënderbeg” (ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës, kundër terrorizmit ndërkombëtar). Gjithashtu, Dautaj është pikë referimi për çështjet e sigurisë dhe ka ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Ky titull vjen si finalizim i një marrëdhënieje të shkëlqyer, të ndërtuar ndër vite në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit. Një falënderim i veçantë i shkon Zyrës së Interforcës së Ambasadës Italiane për bashkëpunimin e shkëlqyer në shkëmbimin e shpejtë të informacionit, realizimin e operacioneve të përbashkëta dhe funksionimin shembullor të grupit operacional “Skënderbeg”, tashmë një histori suksesi”, tha Dautaj.