Dy ditë na ndajnë nga FEST 64, këngëtarja Malvina Likaj rrëfen emocionet: Kënga ka rrënjë shqiptare dhe përfaqëson më të mirën time
Vetëm dy ditë na ndajnë nga nisja e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH dhe këngëtarja Malvina Likaj shprehet më e emocionuar se kurrë për pjesëmarrjen e saj me këngën “Përtej Shpirtit”.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Likaj tregon se provat kanë shkuar shumë mirë dhe se ndihet e sigurt falë bashkëpunimit me orkestrën dhe stafin artistik.
“Jam shumë e emocionuar, ditët po afrojnë dhe mezi po pres të performoj në atë skenë. Provat kanë shkuar shumë mirë me orkestrën fantastike dhe me producentin muzikor Shpëtim Saraçi,” shprehet ajo.
Pjesëmarrja në Festivalin e Këngës ka qenë një ëndërr e hershme për Malvinën, të cilën ajo ia besoi kompozitorit Klodian Qafoku.
“Pjesëmarrja ime në festival ka nisur që e vogël si një ëndërr e mija dhe këtë ëndërr ia besova kompozitori Klodian Qafokut, bisedova me të dhe i kërkova të bashkëpunonim së bashku për Festivalin e Këngës. Nisëm punën së bashku dhe ai më tregoi demon dhe pata kërkuar që në këtë këngë të jetë çdo element që unë mund të jap në muzikë,” tregon ajo.
Kënga ndërthur motive moderne me elementë të traditës shqiptare, përfshirë frymën e muzikës polifonike, një trashëgimi me të cilën artistja është rritur. Babai i saj është këngëtar i muzikës polifonike dhe kjo ka qenë një arsye e fortë për ta përfshirë këtë element në këngë.
“Kënga ka shumë motive brenda, me qëllim kemi vendosur në një pjesë të këngës në motiv që bazohet në traditën shqiptare për t’i dhënë një frymë të mbështetur në traditë këngës për ta ndërthurur me modernen dhe bashkëkohoren. Unë vetë punoj pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe jam rritur në një familje ku këndohej kënga polifonike dhe doja ta përfaqësoja atë pjesë me të cilën unë jam rritur”, tha ajo.
“Përtej Shpirtit” është një këngë që flet për një dashuri sublime dhe të madhe, ndërsa vokalisht konsiderohet mjaft e vështirë.
“Është një këngë që kërkon të jesh në formë shumë të mirë për ta realizuar,” thekson Likaj, duke shtuar se familja ka qenë mbështetja e saj më e madhe në rrugën artistike.
Sa i përket Eurovisionit, këngëtarja shprehet realiste: “Kush nuk do ta donte Eurovisionin, por mendoj që duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të fokusohemi fillimisht te Festivali i Këngës.”
Festivali i 64-të i Këngës në RTSH do të zhvillohet nga 17 deri më 20 dhjetor. Dy netët e para do t’u kushtohen prezantimit të këngëve për publikun dhe jurinë, nata e tretë do të jetë ajo e nostalgjisë, ndërsa nata finale do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.
Mysafiri special i natës finale do të jetë këngëtari estonez Tommy Cash, ndërsa festivali do të moderohet nga Salsano Rrapi dhe Arilena Ara.
Biletat mund të blihen vetëm online përmes platformës zyrtare www.myticket.al.
