Dumani: Duhet bashkëpunim mes SPAK dhe institucioneve për një drejtësi të paanshme dhe efikase

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka theksuar se, edhe pse janë arritur hapa të rëndësishëm, ende ka shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar në vend. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e 8-të Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të ndryshme me SPAK për të ndërtuar një sistem drejtësie të paanshëm dhe efikas.
Ai nënvizoi se reforma në drejtësi është një hap kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa theksoi se pa ndihmën e institucioneve të tjera, kjo reformë nuk mund të jetë plotësisht e suksesshme.
“Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”, tha Dumani.
Dumani e cilësoi SPAK-un si një produkt të rëndësishëm të reformës në drejtësi, duke shtuar se ky institucion ka vepruar pa asnjë kompromis ndaj individëve të lidhur me krimin e organizuar, pavarësisht pozicionit të tyre.
“Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci. Reforma në drejtësi u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ai është një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo me objektet e caktuara të hetimit”, tha Dumani.