Dumani: 50% e të akuzuarve me vendime të formës së prerë, askush nuk është mbi ligjin

Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë një takimi me studentët e UAMD, theksoi se korrupsioni është një fenomen që dëmton shoqërinë dhe se lufta ndaj tij nuk është vetëm detyrë e SPAK-ut, por e të gjitha institucioneve dhe e vetë qytetarëve. Ai u shpreh se, megjithëse SPAK është një institucion i ri, sot funksionon plotësisht dhe ka rezultate të prekshme.

“Është përgjegjësi e madhe të jem në këtë aktivitet ku në qendër janë studentët që përfaqësojnë energjinë, forcën e ndryshimit dhe potencialin për ndryshime pozitive që i duhen vendit tonë.

Fjalët kanë peshë, duhet të jenë në themel të një shoqërie të drejtë e të barabartë.

Korrupsioni, është një fenomen që na gërryen në mënyrë të heshtur, na bën të humbim shpresën dhe krijon një realitet ku talenti dhe puna e palodhur janë të pavlera dhe ku talenti është i mjegullt.

Korrupsioni nuk është thjesht shkelje e ligjit, shkelje e të drejtave të njeriut, besimit të publikut e cenim i dinjitetit të qytetarëve.

Lufta kundër këtij fenomeni nuk është vetëm e këtyre institucioneve por e gjithë shoqërisë”, deklaroi ai.

Në bilancin e mandatit të tij, Dumani nënvizoi se Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj zyrtarëve të çdo niveli, nga kryetarë bashkish e deputetë, deri te ministra, gjyqtarë e prokurorë. Sipas tij, mbi 50% e personave të çuar në gjyq janë dënuar me vendim të formës së prerë, çka tregon se askush nuk është mbi ligjin dhe se SPAK është i aftë të vërë përpara drejtësisë çdo funksionar, pavarësisht pushtetit apo ndikimit të tij.

“Askush nuk është mbi ligjin, SPAK ka ngritur akuza në drejtim të zyrtarëve të nivelit të lartë publik, të nivelit të mesëm. Nga funksionarë të lartë të shtetit, deri te funksionarët e të nivelit të mesëm e ulët. SPAK ka ngritur akuza ndaj kryetar bashkish, prefektëve, gjyqtarë, prokurorëve të gjitha niveleve, funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit, sekretar të përgjithshëm drejtor drejtorish.

 Nga ky numër më shumë se 50% e tyre tashmë janë me një vendim fajësie të formës së prerë, 50% tjetër janë në gjykim e duhet të presim vendimet gjyqësore e në hetim.

Këto rezultate tregojnë se SPAK ka dhënë shenja se është i aftë të vërë para përgjegjësisë penale çdo funksionar pavarësisht pushtetit politik, fuqisë ekonomike që zotëron. Nuk është e lehtë, pro jo e pamundur.

Duhet të presim vendimet e fajësisë së gjykatës nëse duam të flasim për sukses.

Vendimet e fajësisë, tashmë kanë ardhur, 50% e zyrtarëve të lartë të dërguar për gjykim tashmë janë me vendim fajësie të formës së prerë KU përfshihen ministra, ish-ministra, kryetarë bashkish, gjyqtarë të gjitha niveleve, prokurorë, etj,. Tashmë mund të themi se SPAK është në funksionalitet të plotë”, tha ai.

Dumani, i cili javën e ardhshme ia dorëzon drejtimin e SPAK Klodian Brahos, deklaroi se institucionet e drejtësisë sot janë më të konsoliduara dhe se rezultatet tregojnë se lufta kundër korrupsionit është e realizueshme, megjithëse e vështirë.