Drejtoresha Eni Vasili nderon Orkestrën Simfonike të RTSH-së me Çmimin e Karrierës: Ka shoqëruar çdo festival për 64 vite

eni orkestra

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Publik Shqiptar ka nderuar me Çmimin e Karrierës Orkestrën Simfonike të RTSH-së.

Vasili tha se orkestra i ka shoqëruar festivalet për 64 vite rresht dhe sipas saj ky festival nuk do të ishte i mundur të realizohej pa të.

Ky është një moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje; jemi në momentin për të dhënë Çmimin e Karrierës.

Në këtë festival do të jepet një çmim karriere, kemi çmime të tjera sigurisht.

Mezi presin fituesit nesër por çmimi i karrierës është po ashtu i rëndësishëm për të vlerësuar kontributin. Sot duam të vlerësojmë një artist shumë të veçantë, një artist që ka qenë në çdo festival prezent.

E ka shoqëruar këtë festival për 64 vite, nuk ka munguar asnjëherë dhe pa ata artistë ky festival nuk do të bëhej kurrë. Imagjinoj që jeni kuriozë se cili është ky artist. Patjetër që po; Çmimi i Karrierës i shkon Orekestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili.

Ajo shtoi se orekstra “është edhe xhevahiri në kurorën e çdo festivali dhe i këtij festivali gjithashtu”.

Çmimin e tërhoqi drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani e cila tha se “jam tejet e nderuar që jam këtu në emër të 65 muzikantëve që kemi, janë edhe më shumë në fakt. Janë çuna, goca, zonja, zotërinj dhe bëjnë profesionin më të bukur në botë që shumë profesione të tjera e kanë zili”.

“Çdo ditë është një kompeticion, është një emocion për të gjithë ne muzikantët që luajnë orkestër. Kur janë në skenë bëhen më të bukur natyrisht dhe zëmra e tyre rreh njësoj. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku me një orkestër simfonike që është maksimumi i çdo gjëje. Jam shumë e nderuar që jam unë ajo që marr atë që takon gjithë kolegëve të mi ”, tha Ristani teksa mori çmimin.