Drejt mbylljes greva e kamionistëve / Pritet hapja e pikave të kalimit kufitar me Malin e Zi për mjetet e rënda
Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi njoftoi këtë të enjte se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, pas një takimi me përfaqësuesit e Qeverisë malazeze.
Përfaqësues të saj thonë se janë gjetur zgjidhje për një numër të konsiderueshëm problemesh dhe se për rrjedhojë ka filluar t’i tërheqë kamionët nga pikat kufitare, raporton Radio Televizioni i Malit të Zi.
“TVSH-ja po rimbursohet brenda afatit të përcaktuar me ligj. Kemi marrë garanci se periudha e transitit për mallrat e importuara nga Mali i Zi do të jetë 72 orë. Kemi marrë garanci se propozimi për përvojë pune preferenciale do t’i paraqitet Qeverisë për votim”, u tha pas takimit. Por, shoqata shtoi se problemi me akcizën e karburantit nuk është zgjidhur.
Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi i bllokoi kufijtë për mallra pranë nëntë pikave kufitare tokësore si dhe hyrjen dhe daljen nga porti i Tivarit. Tashmë, pritet edhe hapja e pikave kufitare me Shqipërinë, kryesisht e Hanit të Hotit.
Gjatë protestës, pasagjerët dhe kamionët që bartnin ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë, u lejuan të kalonin.
Transportues nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja i bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Ata kërkojnë ndryshim të rregullores që përcakton se banorët e shteteve të treta mund të qëndrojnë në Zonën Schengen vetëm për 90 ditë në periudhën 180-ditore. Për ta, kjo periudhë është shumë e shkurtër dhe ua vështirëson punën.
