Drafti për Kodin e ri Penal, Dumani: Nevojiten ndryshime, SPAK nuk u përfshi në hartimin e tij

Dumani

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka shprehur rezerva mbi draftin e Kodit të ri Penal.

Në një takim me gazetarët ai vuri në pikëpyetje faktin nëse nevojitet një Kod i ri apo thjesht duhen bërë ndryshime në disa nene të caktuara. Dumani deklaroi se ndryshimet të cilat do duhej të reflektoheshin në Kodin Penal lidhen kryesisht me dënimet e rënda dhe dënimet për drogat sipas llojit dhe sasisë së tyre.

Unë mendoj se duhen bërë disa ndryshime në Kodin Penal për dënimet e rënda. Mendoj për shembull që duhet bërë diferencim për ata që kapen me droga në bazë të sasisë dhe llojit të drogës”, deklaroi Dumani.

Kryeprokurori i SPAK-ut u shpreh se struktura e tij nuk është përfshirë në hartimin e draftit për Kodin e ri Penal.

“Draftin ende nuk e kemi marrë zyrtarisht. Nuk jemi marrë me hartimin e tij. Në momentin që do ta marrim, prokurorët dhe stafi do ta analizojnë dhe do mbajmë qëndrimin tonë”, tha ai, ndërsa e mbështeti qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, për draftin aktual.

Pak ditë më parë u prezantua drafti i Kodit të ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh dhe i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Një nga risitë kryesore të këtij drafti është ndarja e qartë e veprave penale në krime dhe kundërvajtje penale, duke përcaktuar kritere të detajuara për dallimin mes tyre, përfshirë kufijtë maksimalë të dënimeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit kriminal.

Drafti sjell edhe konceptin e “krimit shumë të rëndë”, i cili do të përcaktohet si çdo krim me dënim mbi dhjetë vjet burgim ose i kryer nga organizata kriminale, pavarësisht masës së dënimit. Kjo ndarje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e vuajtjes së dënimit dhe caktimin e masave plotësuese.

Krimet zgjedhore, Dumani: Kemi gjetur prova të rëndësishme

Duke u ndalur më tej te denoncimet për krimet zgjedhore, Dumani bëri me dije se pas vendimeve për 17 kontrolle,  janë gjetur prova të rëndësishme.

Kreu i SPAK sqaroi se janë regjistruar 193 kallëzime për krime zgjedhore, 53 nga të cilat nga subjektet politike. Ai shtoi se për 39 prej kallëzimeve vijojnë hetimet.

Ka qenë një periudhë intensive për institucionin nga procedimet penale që ka patur në të shkuarën dhe nga procedimet që janë regjistruar këtë vit. Fokusi kryesorë është krimi zgjedhorë. Do thoni pse kaq vonë? Kaq vonë sepse vetëm ditët e fundit KQZ shpërndau mandatet. Janë depozituar 193 materiale: 56 kallëzime nga partitë, 35 policia; 1 material burgjet; 80 kallëzime nga qytetarë; 5 nga prokurorit e rretheve; 43 procedimet të regjistruara”, tha Dumani.

Lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, për sekuestrimin e celularëve pa një vendim gjykate, por që tashmë akuza është e detyruar që të marrë verdiktin e gjykatës, Dumani tha se, vendimet e Kushtetueses nuk diskutohen.

Sa i përket shtatë pyetjeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, të bëra një ditë më parë, Dumani tha se SPAK i përgjigjet pyetjeve të të pandehurve vetëm nëse do të çojnë një memo në gjykatë dhe SPAK vendosë nëse do ti përgjigjet apo jo.