Draft-raporti i KE-së për sundimin e ligjit në Shqipëri, vlerësime pozitive, por edhe sfida

Komisioni Evropian ka hartuar një draft-raport paraprak për Sundimin e Ligjit në Shqipëri, i cili ofron një analizë të thelluar të progresit të vendit në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit. Raporti vlerëson disa arritje, por njëkohësisht nxjerr në pah sfida dhe mangësi të rëndësishme që kërkojnë adresim të mëtejshëm.
Reforma në Drejtësi, pavarësia dhe llogaridhënia
Draft-raporti thekson se Shqipëria ka vazhduar me zbatimin e reformës gjyqësore, duke shënuar përparim në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë. Një arritje e rëndësishme e përmendur është finalizimi i procesit të vettingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në shkallën e parë, gjë që ka forcuar llogaridhënien.
Megjithatë, raporti vë në dukje se mbeten sfida lidhur me vlerësimet në kohë dhe cilësore, si dhe emërimet e anëtarëve jomagjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është funksional, por numri i lartë i vendeve të lira të magjistratëve-inspektorëve ndikon në efektivitetin e tij.
Një shqetësim tjetër i ngritur është përkeqësimi i përpjekjeve për ndikim të tepruar në sistemin gjyqësor nga zyrtarët publikë ose politikanët, pavarësisht përmirësimit të qëndrueshmërisë së gjyqësorit.
Lufta kundër korrupsionit, progres nga SPAK, mangësi legjislative
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit për vitet 2024-2030. Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin vlerësohet si gjerësisht në fuqi, megjithatë, theksohet nevoja për plotësimin e legjislacionit për parandalimin e korrupsionit.
Struktura Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar më tej rezultatet e saj pozitive, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke shënuar “përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë” në këtë fushë.
Megjithatë, korniza institucionale për parandalimin vazhdon të ketë një ndikim të kufizuar, dhe koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët. Policia e Shtetit ende shihet si e ndjeshme ndaj korrupsionit, dhe ka mangësi në transparencën dhe efektivitetin e kontrollit të deklaratave të pasurive nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Auditimin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Sfidat në cilësinë e drejtësisë, medias dhe parlamentit
Raporti identifikon mangësi të vazhdueshme në cilësinë e drejtësisë, duke përfshirë aksesin në drejtësi, trajnimin gjyqësor, si dhe burimet financiare dhe njerëzore. Po ashtu, sfidat lidhur me kohëzgjatjen e procedurave dhe ngarkesën e çështjeve të prapambetura janë rritur, pa u zbatuar ende masa vendimtare për të rritur efikasitetin.
Përqendrimi i lartë i pronësisë së medias dhe depërtimi nga grupe biznesi me lidhje politike ndikojnë negativisht në pavarësinë e saj. Raportohen gjithashtu mangësi në ndarjen e drejtë të reklamave shtetërore dhe sulme verbale/fizike ndaj gazetarëve.
Lidhur me procesin legjislativ, sfidat në cilësinë dhe efektivitetin e konsultimeve publike mbeten. Puna, metodologjia dhe ndikimi i Komisionit Parlamentar Ad Hoc për thellimin e reformave për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit (drejtuar nga Fatmir Xhafaj) gjithashtu kanë mangësi.
Gjykata Kushtetuese dhe shoqëria civile
Gjykata Kushtetuese vijon të funksionojë në mënyrë efektive, megjithatë, shqetësimet lidhen me moszbatimin e vazhdueshëm nga ana e Kuvendit të disa prej vendimeve të saj dhe pasiguria ligjore mbi kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve. Mandatet e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit kundër Diskriminimit ende duhet të rinovohen.
Në fund, draft-raporti thekson se organizatat e shoqërisë civile mbeten përgjithësisht të lira për të vepruar, por përballen me sfida si kërkesat e regjistrimit dhe financimi i kufizuar publik.
Ky draft-raport do të shërbejë si një udhërrëfyes për Shqipërinë në hapat e saj të mëtejshëm drejt integrimit evropian, duke identifikuar fushat ku është bërë progres dhe ato ku kërkohet përpjekje më e madhe.