Dokumentari “Spaç 1973”, Ndregjoni: Ish-burgu, ende një plagë e pambyllur

spacii

“Spaçi është ende një plagë e pambyllur”. Me këto fjalë u shpreh kreu i Unionit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni gjatë premierës së filmit-dokumentar “Spaç 1973 – martirët e lirisë”, e cila u zhvillua në ambientet e Kinema Millennium në Tiranë.

Dokumentari, i cili i kushtohet revoltës antikomuniste të të burgosurve politikë në burgun famëkeq të Spaçit, në maj të vitit 1973, është fryt i një pune intensive që zgjati 12 muaj dhe erdhi në jetë me mbështetjen e fondacionit “Konrad Adenauer” dhe Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë.

Besim Ndregjoni, që prej më shumë se 35 vitesh merret me dokumentimin e gjenocidit komunist, e konsideron këtë projekt ndër më të rëndësishmit në përpjekjet për ruajtjen e kujtesës kolektive.

Në fjalën e tij ai theksoi rëndësinë që politika shqiptare të bëjë më shumë për t’u përballur me të shkuarën, duke e cilësuar heshtjen institucionale për këtë temë si një “referendum të heshtur historik”.

 “Shqipëria doli në ’90 me plagë që akoma rrjedhin gjak. Spaçi është plagë e pambyllur. Ky kamp famëkeq në mes maleve të Mirditës, një skemë e fshehur në komunizëm, një vend torturash, vuajtjesh, një vend që e zhbinte njeriun. Por edhe një vend historik ku shqiponjat që i kishin me hekura në duar guxuan, u ngritën dhe ngjyrosën me gjakun e tyre flamurin kombëtar pa yllin e bolshevizmit, enverist, por siç ishte në kohën e Skënderbeut, ashtu siç është tani që e kemi në zyra, në rrugë apo në manifestime.”, tha z.Ndregjoni.

Z. Ndregjoni propozoi që ish-burgu i Spaçit të kthehet në një muze historik kombëtar, si një hap konkret për të nderuar sakrificën dhe për të edukuar brezat e rinj me të vërtetën e së kaluarës.