Dita e turizmit malor në Razëm / Festë për hapjen e sezonit turistik në Malësinë e Madhe

Razma, një prej perlave natyrore të Shqipërisë, mirëpriti në fundjavë “Ditën e Turizmit Malor”, një aktivitet festiv që shënon simbolikisht nisjen e sezonit veror në Malësinë e Madhe.
E organizuar nga Bashkia dhe me mbështetjen e kryetarit Tonin Marinaj, kjo ditë solli gjallëri, traditë dhe mikpritje në zemër të natyrës malore.
Pjesëmarrës në këtë festë ishin përfaqësues të pushtetit vendor dhe qëndror, përfshirë deputeten Mariana Kopeku, si dhe dhjetëra turistë vendas e të huaj.
Atmosfera u gjallërua nga lojëra sportive, vizitorë që shijonin ajrin e pastër dhe gjelbërimin, si dhe një koncert me këngëtarë të njohur të trevës si Gjyste Vulaj, Skënder Xhafa e të tjerë.
Nëpërmjet këtij aktiviteti u promovuan jo vetëm bukuritë e Razmës, por edhe destinacione të tjera malore si Lepusha, Vermoshi, Tamara e Boga. Malësia e Madhe vazhdon të jetë një thesar i pazbuluar për turizmin malor, me natyrë të virgjër, tradita të gjalla dhe mikpritje të rrallë.