Dita e të Vrarëve në Kufi / Përkujtohet 35-vjetori i vrasjes nga regjimi i djaloshit 17-vjeçar, Pëllumb Pëllumbi

Me homazhe dhe kurora me lule u përkujtua në Shkodër Dita e të Vrarëve në Kufij, në nderim të viktimave që u pushkatuan nga regjimi komunist gjatë tentativave për të kaluar kufirin.
Në këtë 35-vjetor, vëmendja u përqendrua te historia tragjike e Pëllumb Pëllumbit, një djalosh vetëm 17 vjeç, i cili më 16 qershor 1990 tentoi të kalonte kufirin për një jetë më të mirë, por u qëllua për vdekje nga forcat kufitare të regjimit.
“Ëndrra e tij për liri u ndal me plumb. Ishte vetëm një fëmijë,” shprehet e motra, Lula Pëllumbi, teksa nuk i fsheh emocionet.
Pjesë e ceremonisë përkujtimore ishin përfaqësues të Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë, të cilët sollën në vëmendje dhimbjen teksa kërkojnë akoma të vërtetën dhe eshtrat e të afërmve të zhdukur.
Vrasja e Vat Beqit, më 19 maj 1990, gjatë arratisjes nga Velipoja, është një tjetër ngjarje e rëndë që prodhoi diktatura.
Ai së bashku me vëllain Gjek Beqi tentuan të kalonin kufirin me një kamerdare, por u diktuan nga një motoskaf i forcave kufitare.
Pas këtyre ngjarjeve, qyteti i Shkodrës do të përfshihej nga demonstrata të fuqishme të të rinjve që kërkonin fundin e regjimit komunist, një moment historik që i parapriu ndryshimeve të mëdha në Shqipëri.