Dioqeza e Sapës me administrator të ri /  At Mariano Tarantino zëvendëson Imzot Simon Kullin, pas ndarjes nga jeta

mariano tarantino

Pas ndarjes nga jeta të Ipeshkvit të Sapës, Mons. Simon Kulli, më 29 nëntor 2025, Selia Ipeshkvore e Sapës mbeti vakante ndërsa së fundmi u mblodh Këshilli i Konsultorëve të dioqezës, i cili zgjodhi Administratorin e Ri Dioqezan.

Mbledhja u drejtua nga meshtari më i vjetër në moshë, Atë Bonaventura Mossuto ofmcap.

 Pas diskutimeve dhe votimit, Administrator i Dioqezës së Sapës u shpall At Mariano Tarantino, misionar i Urdhërit të Etërve Karmelitan në Nënshat.

 Ai pranoi menjëherë detyrën dhe kreu Dëshminë e Fesë dhe Betimin e Besnikërisë, akte që e legjitimojnë në drejtimin e dioqezës deri në emërimin e ipeshkvit të ri.

Atë Mariano ka lindur në Palermo më 20 maj 1973.

Pas shkollës fillore ka ndjekur studimet për gjeodezi, ndërsa në vitin 1999 u diplomua në Inxhinieri.

Gjatë studimeve universitare u njoh me Urdhrin e Etërve Karmelitan, ku në vitin 1997 nisi përvojën e tij fillestare rregulltare.

Studimet filozofike i kreu në Katania, ndërsa ato teologjike i përfundoi në Romë në vitin 2005, në Universitetin Papnor Terezian.

Gjatë këtyre viteve, Atë Mariano ka shërbyer me përkushtim në kuvendin e tij dhe në misionet e ndryshme të Dioqezës së Sapës, si edhe në aktivitete jashtë saj.

 Ai njihet për bashkëpunimin e tij të rregullt me Radio Marinë, ku organizon emisione të ndryshme fetare.

Me zgjedhjen e tij në krye të Dioqezës, Atë Mariano Tarantino deklaroi se, në bashkëpunim me klerin dioqezan, do të vijojë gjurmët e Imzot Simon Kullit dhe do të çojë përpara misionin e ungjillëzimit dhe shërbesën pastorale në të gjithë territorin e Sapës.