Dinamo City – Vllaznia në RTSH Sport/ Brdariç: Synojmë fitoren dhe mbajmë larg euforinë!

Java e 25-të e Abissnet Superiore vjen me një takim mjaft interesant siç është ai mes Dinamos City dhe Vllaznisë. Dueli, i cili luhet të shtunën në “Elbasan Arena” në orën 16:30, vjen për publikun shqiptar nëpërmjet rrjetit të Radio Televizionit Shqiptar.
Në vigjilje të këtij dueli ka dalë në një konferencë të zakonshme për shtyp trajneri i ekipit shkodran. Tomas Brdariç ku ka analizuar këtë përballje duke u kërkuar lojtarëve të mbajnë ritmin, pasi objektivi i ekipit është gjithmonë fitorja.
“Ju uroj një fundjavë sa më të mirë të gjithëve, kemi punuar fort dhe kemi shumë motivim për të qenë të përgatitur për këtë sfidë. Kemi luajtur kundër Dinamos, duhet të tregojmë më shumë se 100% nëse duam të fitojmë nesër dhe ky është objektivi ynë. Ne kurrë nuk e nënvlerësojmë asnjë ekip në Superiore e kemi fokusin te ndeshja e nesërme, do të shohim veten tonë, pres fokusim të lojtarët dhe të vëmendshëm për objektivat kryesor. Duhet të mbajmë larg euforinë”, tha tekniku gjerman.