Diaspora voton, Celibashi: Dërgimi i fletëvotimeve do përfundojë brenda javës, 111 persona kanë votuar

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një bashkëbisedim me gazetarët deklaroi se ka nisur procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit për emigrantët shqiptarë, të cilët për herë të parë do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare nga vendet ku jetojnë.
Por sipas Celibashit, për shkak të kontrollit të shtuar në përgatitjen e zarfeve dhe të dërgimit të tyre në diasporë, si nga ana e KQZ-së dhe nga kompania DHL, është shtyrë afati i shpërndarjes se zarfeve për votuesit jashtë vendit përtej 17 prillit.
“Shtimi i i numrit të kontrolleve na ka çuar në shtyrje të afatit të shpërndarjes për votuesit jashtë vendit. Por kjo në mënyrë kategorike nuk e rrezikon procesin e dërgimit, kohës që duhet të kenë zgjedhësit për të votuar, dhe kthimit mbrapsht të fletëve të votimit. Shpresojmë që brenda javës ta përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit.”
Kryekomisioneri Celibashi deklaroi se procesi i votimit të diasporës po vijon normalisht dhe 111 persona kanë votuar.
“Votuesi i parë, të cilit i ka mbërritur zarfi, ka qenë nga qarku i Dibrës. Jeton në Gjermani,” theksoi ai.
Duke folur për dërgimin e zarfeve, Celibashi pohoi: “Kemi nisur sot përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit zgjedhor për qarkun Korçë dhe Lezhë. Në pjesën e dytë të ditës së sotme fillojmë me Qarkun Tiranë. Deri tani kemi dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përbëjnë 36.3% të numrit total të zgjedhësve që janë regjistruar si votues nga jashtë. Shtetet me të mëdha me shpërndarjen e zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania.”
Për sa i takon procesit të grumbullimit të zarfeve që vijnë nga jashtë, Celibashi, shpjegoi: “Fletët e votimit nga sistemi i përpunimit të DHL-së do të vijnë direkt në Parkun Olimpik, nuk do të shkojnë në KQZ dhe këtu do të bëhet i gjithë procesi administrativ i menaxhimit të zarfeve që do të vijnë. Kutitë që do të administrojnë fletët e votimit që do vijnë nga jashtë do të qëndrojnë këtu në vëzhgimin e kamerave dhe përfaqësitë e partive politike.
Në momentin që fleta është në sistemin e DHL-së dhe KQZ-së, garantoj 100% ruajtjen e fshehtësisë,” deklaroi ai.
Megjithatë, ai la të qartë se çdo tentativë për të shitur, blerë apo treguar votën përpara se ajo të dorëzohet, është përgjegjësi e vetë qytetarëve dhe shoqërohet me pasoja penale serioze.
“Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë apo tregojnë, është çështja e tyre. Do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale. Nëse një fenomen i tillë ndodh, ai shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burgim.”