Diaspora e Kosovës voton, KQZ: Deri tani kanë votuar 7 mijë e 79 persona, s’ka parregullësi serioze
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues
Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Ai ka thënë se s’është raportuar për ndonjë problem serioz gjatë procesit të votimit, përveç disa paqartësive që lidhen me procedurat dhe dokumentat për votim.
“Pra, procesi i votimit është duke zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosur në 18 shtete të ndryshme të botës… Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë”, tha ai.
