Detaje të reja nga atentati në Shkodër / Tritoli u la dy ditë pa u shpërthyer, autori u zbulua nga kamera
Vazhdon të mbetet e paqartë arsyeja e atentatit me tritol në Shkodër, ngjarje e rëndë që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri.
Si autor i dyshuar i vendosjes së lëndës shpërthyese është identifikuar shtetasi Gerti Bushati, i cili sipas hetimeve rezulton të ketë vendosur tritolin në boksin e matësve të energjisë elektrike të pallatit ku banonte viktima.
Bushati është zbuluar falë pamjeve filmike të një kamere sigurie të vendosur pranë një biznesi afër pallatit.
Në pamje shihet se mbrëmjen e 27 dhjetorit ai vendos lëndën shpërthyese në sahatin elektrik të katit të parë.
Shpërthimi ka ndodhur dy ditë më vonë, më 29 dhjetor 2025, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallëve për të hyrë në banesën e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Nga analizimi i kamerave të tjera të sigurisë, grupi hetimor ka arritur të rindërtojë lëvizjet e autorëve, çka ka çuar në arrestimin e katër personave: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Megjithatë, policia ende nuk ka arritur të zbulojë motivin e krimit apo identitetin e porositësit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike të dyshuara kokainë, pajisje GPS, kamera sigurie si dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Ndërkohë, djali i viktimës, Alban Ymeri, i cili jeton jashtë vendit dhe kishte ardhur në Shkodër pak ditë para ngjarjes, ka deklaruar se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.
Të arrestuarit, gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Shkodrës, kanë refuzuar të japin deklarime.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ata janë mbajtur në një ambient të monitoruar, në përpjekje për të zbardhur porositësin e atentatit. Katër të ndaluarit pritet të njihen me masën e sigurisë ditën e hënë.
