Detaje të reja nga atentati në Lezhë, dyshohet se shënjestër ishte një person tjetër brenda në berberhane
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i një berberhane.
Sipas burimeve policore, në ngjarje janë përdorur dy armë zjarri. Nga të shtënat dyshohet se është plagosur edhe një person tjetër, i cili mendohet të ketë qenë shënjestra kryesore e sulmit. Ky i fundit është larguar nga vendngjarja dhe nuk është paraqitur në spital, ndërsa policia po ushtron kontrolle në spitale dhe klinika private për ta identifikuar.
Nga veprimet hetimore rezulton se autorët kanë qenë tre persona, të cilët kanë udhëtuar me një automjet tip “Audi”. Njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të berberhanes, ku në atë moment ndodheshin pesë persona.
Një nga personat brenda berberhanes dyshohet se i është përgjigjur autorëve me armë zjarri pistoletë, por autorët kanë arritur të largohen pa u plagosur.
Policia ka shoqëruar disa persona dhe po analizon kamerat e sigurisë së zonës për të ndjekur lëvizjet e autorëve para dhe pas atentatit.
Ndërkohë, nga të shtënat, katër plumba kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht personat që ndodheshin brenda kanë shpëtuar mrekullisht.Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhoja automatiku dhe pistolete të gjetura në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, i plagosuri Sokol Daci ka marrë tre plumba në pjesë të ndryshme të trupit dhe po kurohet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të stabilizuar. 30-vjeçari ushtronte profesionin e berberit prej vitesh dhe nuk njihej si person me precedentë penalë.
