Dështon seanca e 37-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, akuza mes subjekteve politike
Ka dështuar për të 37-ën herë përpjekja për konstituimin e legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës.
Pavarësisht thirrjes së përsëritur prej javësh tashmë të kryesuesit të seancës Avni Dehari për propozimin e emrave të anëtarëve të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, subjektet parlamentare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe vijojnë të mos i dorëzojnë propozimet e tyre dhe të mos marrin pjesë në votim.
Nga 92 deputetët që ishin në sallë, vetëm 52 votuan pro. Në këto kushte, seanca e radhës e Kuvendit u caktua për më 27 qershor.
Në një deklaratë për medie pas dështimit të seancës plenare, Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj theksoi se nevojitet zgjidhje e shpejtë politike.
“Duhet të iket nga kalkulimet dhe lojërat jashtë. Duhet të fokusohen e përqendrohen për atë që presin qytetarët e Kosovës dhe shteti sa më shpejt. Jemi tepër të vonuar, të ulemi e të bëjmë një marrëveshje politike”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj u shpreh se nuk ka asnjë përpjekje serioze për të dalë nga ngërçi politik, ndërsa i ka bërë thirrje partisë fituese në zgjedhje që të lërë lojërat.
“Qytetarët dhe shoqëria civile kanë filluar të protestojnë dhe kjo është një shenjë e mirë. Këtë protestë duhet drejtuar ndaj partisë më të madhe në vend, fituesja e zgjedhjeve. Për arsye se fajtori kryesor është partia që i ka fituar zgjedhjet në këtë vend”, u shpreh Zogaj.
Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku deklaroi se shkak për ngërçin politik është Lëvizja Vetëvendosje.
“Në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë së Albin Kurtit dhe LVV-së. I dëgjojmë deklaratat qesharake që gjoja i kanë numrat për Qeverinë, por jo për Kuvendin. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë, Kosova është shumë më e madhe dhe e rëndësishme sesa egoja e tij”, tha ajo.
Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu nga ana e saj fajësoi partitë e tjera për situaën e krijuar dhe bllokimin e procesit.
Sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë
“Me mungesën e vullnetit për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e Qeverisë Kurti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë. Gjatë kësaj kohe, në vend që të kemi përpjekje nga opozita dhe kryetarët e tyre që ta konstituojnë Kuvendin, siç kemi parë edhe sot, ata vijnë dhe nuk marrin pjesë fare në votim. Nuk ka kuptim të vish në seancë, që 29 herë prej kur ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës për votimin e fshehtë, dhe të mos votojnë as për, as kundër, as abstenim”, deklaroi Haxhiu.
