Dështon përpjekja e 52 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nesër përpjekja e fundit
Deputetët e Kosovës kanë dështuar në përpjekjen e 52-të për të konstituuar Kuvendin, një ditë para skadimit të afatit 30 ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Seanca e radhës do të zhvillohet të shtunën (26 korrik) në orën 14:00.
Të pranishëm në sallë ishin 107, për votuan vetëm 54 deputetë, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim. Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese i ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor. Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.
