Dështon përpjekja e 34-t për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të shtunën mbledhja e radhës

konstituimin e Kuvendit të Kos

Për herë të 34-t ka dështuar edhe këtë të enjte (19 qershor) përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 102 deputetët që ishin në sallë, 51 votuan për, 1 votë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për takimin me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun ndërsa tha se çështje preokupuese tani është siguria e vendit.

“Jam takuar me Abdixhikun, kemi pasur takim shumë të mirë kemi pasur një bisedë shteruese për të gjitha temat që e preokupojnë Kosovën. Kemi biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, por edhe ato rajonale, për angazhimet tona si obligime që duhet të kryhen”, tha ai.

Sa i përket zgjidhjes së ngërçit në Kuvend, Limaj tha se kemi këndvështrime nga shumë drejtime, por e rëndësishme, sipas tij është që po ndodhin këto takime për të gjetur zgjidhjen. “Ne shprehim vullneti dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhjen, se ne nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet për temat e rëndësishme”, tha Limaj.

Nga ana e tij, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, situatën aktuale politike në vend, e ka e cilësuar si një krizë të thellë të shkaktuar nga mungesa e gatishmërisë për kompromis të partisë më të madhe. Sipas tij, përkundër përgatitjeve për zgjedhjet lokale, kriza politike që po ndodh në nivel qendror nuk duhet të lihet pas dore.

“Sa i përket zgjedhjeve lokale, në funksion i kemi të zgjedhjet lokale, është shpallur data e zgjedhjeve, 12 tetori do të vijë shpejt, jemi në përgatitje. Kjo sagë që po e shohim çdo ditë, ky cirkus bie në hije kur ne tash fokusin e zhvendosim nga zgjedhjet lokale. Por në asnjë koment nuk duhet lënë anash këtë cirk që po ndodh aktualisht dhe krejt ky cirk është si rezultat i partisë së madhe dhe kryeneçësisë së saj për të mos dalë nga kjo krizë politike. Krizë politike jemi dhe jemi në krizë të thellë”, ka theksuar Zogaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Kosova pop mbahet peng i një njeriu, duke nënkuptuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kjo situatë sipas tij nuk mund të shkojë pa kufij.

I pyetur se nëse mund të ketë ndryshime në këtë tentim të ri ai tha se “Kjo pyetje duhet t’i bëhet vetëm një njeriu, mashtruesit, Albin Kurti. Për fat të keq po e paguajmë çmimin se i kemi besuar një mashtruesi, dhe për mua nuk është befasi. Ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marr fund dikur”, tha ai.

Kurse, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se nuk pret që të ketë ndonjë zhvillim në seancën e sotme konstituive. Ai ka deklaruar se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e votimit të fshehtë.

Mbledhja e radhës do të jetë më 21 qershor, në orën 10:30.