Dështon përpjekja e 33-të për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi: Po dëmtohet pozicioni i Kosovës në raport me SHBA

Për herë të 33-të, ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 100 deputetët që ishin në sallë, 51 votuan pro, 1 votë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Edhe në vazhdimin e sotëm sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka akuzuar deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vazhdimit të angazhimeve si kryetar i ekzekutivit, ai deklaroi se deputetët po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, me referencë te bojkotimi i votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Fatmir Limaj nga NISMA Socialdemokrate u shpreh se nëse nuk shkojmë në zgjidhje, kjo klasë politike nuk e meriton besimin qytetar.
“Nëse e lejojmë që ky jo seriozitet që çdo dy muaj të shkojmë në zgjedhje, të mos krijohen institucionet, ju nuk keni aftësi për t’u ulur dhe për të bërë marrëveshje politike, atëherë krejt çka mund të them është se nuk meritojnë besimin e qytetarëve të Kosovës, po flas për klasën politike”, ka thënë ai.
Edhe përfaqësues nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shprehur indinjatën e tyre pas dështimit të 33-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se mosformimi i institucioneve do të ketë pasoja edhe për raportin me SHBA-të dhe dialogun me Serbinë.
“Nëse në një moment të shpejtë, që s’mund ta dimë se kur është, ka një kërkesë nga SHBA-të për të pasur qasje më proaktive në raport me marrëveshjen potenciale Kosovë–Serbi dhe ne nuk i kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që e dëmton pozicionin e Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për bllokim dhe papërgjegjësi institucionale.
“Bota po ndryshon çdo ditë drastikisht dhe dramatikisht. Kosova nuk guxon të sillet me kësi papërgjegjësie, i bëjmë apel zotit Kurti që të reflektojë. Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale”, ka thënë në anën tjetër, Vlora Çitaku nga PDK.
Kjo është hera e 25-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Ata do të mblidhen sërish të enjten e 19 qershorit.