Dështon edhe tentativa e 42-të, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet

Kuvendi i Kosovës n

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë drejtuesin e tij edhe pas 42 tentativash. Në seancën e fundit, vetëm 39 deputetë votuan pro formimit të një komisioni për votim të fshehtë, duke pamundësuar vazhdimin e procesit të zgjedhjes, ndërsa seanca do të rinisë pas dy ditësh.

Në seancën e sotme votimi u zhvillua në mbrëmje, ndryshe nga herët e tjera që është mbajtur gjatë paraditeve pasi procesi u shty për shkak të alarmit për bombë, por që më pas rezultoi i rremë.

Gjatë kësaj seance, kryesuesi Avni Dehari ndaloi mbajtjen e fjalimeve të deputeteve Ganimete Musliu (PDK) dhe Jehona Lushaku (LDK), të cilat kërkuan që votimi të rikthehet në formën e hapur.

Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se votimi i fshehtë nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe nuk përbën ndryshim të rendit të ditës.

Kjo është hera e 42-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan të përmbushin detyrimin kushtetues.

Në këtë seancë të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.