Dështon edhe përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi: I drejtohemi Kushtetueses. Haradinaj: Kurti të bëjë 61 vota

Kuvendit, Krasniqi

Dështon edhe përpjekja e 41-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse një ditë më parë presidentja Osmani u takua me shumë prej liderëvetë partive politike në Kosovë me qëllim gjetjen e një rruge për zhbllokimin e ngërçit politik, sërish seanca plenare e sotme ka dështuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar emrat për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Nga 99 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 54 kanë votuar pro, ndërsa u caktua për më 5 korrik seanca e radhës plenare.

Në një deklaratë për medie kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vënë theksin te nevoja e menjëhershme për konstituim të Kuvendit, pasi sikurse tha ai, pasojat mund të jenë të mëdha.

Nëse Kurti i bën 61 veta të zgjedhë kryetarin. Nëse nuk i bën ai na harxhon 30 ditë, na mban peng. Si duket ai ka vendosur t’i harxhojë këto 30 ditë pa e krijuar shumicën”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi njoftoi se gjatë ditës së sotme (3 korrik) do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ato që i cilëson si shkeljet e qëllimshme të Lëvizjes Vetëvendosje në tri seancat e fundit konstituive.

“Sot Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë te Gjykata Kushtetuese një rast të ri, për të cilën shpresojmë se do ta trajtojë me urgjencën e nevojshme meqenëse i kemi vetëm edhe 23 ditë deri në përmbylljen e afatit për konstituimin e Kuvendit. Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije nga ana e kryesuesit të seancës, me instruksione të partisë së tij. S’mund të qëndrojmë duarkryq”, tha Krasniqi.

Ndërsa Nezir Kraki nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se votimi i fshehtë është thjesht teknikalitet, ndërsa mosvotimi përbën shkelje flagrante.

Kur një gjuhë thuhet në një vendim të formës së prerë, nuk mund ta interpretosh në disa forma. Paragrafi 141 e ka theksuar atë që është thënë në vitin 2014, që deputetët duhet të jenë në sallë, të marrin pjesë në votim pro kundër ose abstenim. Komisioni është teknikalitet që e mundëson votimin e fshehtë. Gjykata Kushtetuese e ka specifikuar që duhet të marrin pjesë në votim. Refuzimi për të marrë pjesë në votim është shkelje flagrante”, tha Kraki.