Deputetët e opozitës takojnë Kryetarin e Komitetit për Europën: Lufta korrupsionit, e vetmja mënyrë që vendi të ecë para
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, deputetët Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, janë takuar me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Gjatë takimit deputetët e opozitës kanë nënvizuar se aleanca në NATO ka detyrime për Shqipërinë, që nuk duhet të bëjë hapa pas në funksionimin demokratik të institucioneve, në garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe mos përdorimin e tij nga mazhoranca si mjet politik kundër kundërshtarëve politik, në vlerësimin e çdo investimi të huaj në Shqipëri, dhe mbi të gjitha në luftën me tolerancë zero ndaj pastrimit të parave të pista.
Deputetët e opozitës e falenderuan kongresmenin Self për disa seanca dëgjimore të zhvilluara në Kongres me fokus zhvillimet në Shqipëri, si dhe për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë ndër vite.
Ata theksuan se përkushtimi i SHBA për të vendosur në krye të axhendës së sigurisë luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre, është një lajm i mirë për Shqipërinë. “Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, si një vend i denjë për të qenë anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për në BE“, theksuan deputetët.
