Deklaratat e Ramës për Kushtetuesen, kryetarja Zaçaj: Kufiri mbetet te kritika, jo te presioni

zace

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, reagoi për deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për të rritur pagat me 700 euro.

Znj. Zaçaj tha se trupa gjyqësore nuk ndihet nën presion dhe se janë mësuar me deklarata të tilla që vijnë nga të gjitha palët e përfshira në një proces të caktuar.

Unë nuk besoj që deklarata futet në nivelin e presionit. Janë deklarata të zakonshme, që ne i kemi parë nga të gjitha palët që përfshihen në proces, përfshirë edhe medien, sepse ndonjëherë jeni ju të medies që i jepni zë, më shumë se ç’duhet ndonjëherë, mendimeve, opinioneve për vendimet tona. Megjithatë për sa kohë kjo vjen në kuadër të lirisë së medies, të lirisë së shprehjes, kjo është një vlerë e shtuar dhe unë vetë jam një partizane, edhe vetë trupa. Atë që çmua të rëndësishme, pra, si detyrim ndaj publikut, për ta informuar dhe për të garantuar funksionin tonë të pavarur dhe të paanshëm, ne e kryem. Pjesa tjetër mbetet për mënyrën se si secili nga pushtetet e mendon të veprojë dhe e sheh detyrën e vet,” deklaroi kryegjyqtarja Zaçaj.

I pyetur nga gazetarët se si i shikon deklaratat e kryeministrit për përgjumje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pasi gjyqtares së Tiranës iu deshën 7 vite për të marrë një vendim për padinë që kryeministri Rama bëri ndaj Lulzim Bashës, Artur Metani zgjodhi të heshtë.

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, u pyet nga gazetarët lidhur me raportimin e institucionit që drejton në programin e transparencës se një ministër është nën hetim, por refuzoi të përgjigjej se kush është dhe për çfarë akuze.

Këto deklarata u bënë pas një tryeze gjithëpërfshirëse të Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë për gjashtë vitet e fundit.