Dëborë në veri dhe reshje shiu në qendër, Greqia përballet me mot ekstrem
Greqia po përballet me një valë të fuqishme moti të keq, e cila ka përfshirë një pjesë të madhe të vendit duke sjellë reshje të dendura shiu, stuhi të forta, dëborë në zonat malore dhe erëra të fuqishme jugore.
Meteorologët paralajmërojnë se fenomenet pritet të jenë të vazhdueshme dhe me intensitet të lartë deri në orën 17:00 të pasdites së sotme, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht në zonën e Atikës.
Që prej mëngjesit, moti i keq ka goditur zonat fushore të qendrës dhe veriut të Greqisë me reshje të forta shiu.
Në zonat malore dhe kodrinore të Fthiotidës, Fokidës, Thesalisë, Epirit dhe Maqedonisë janë regjistruar reshje dëbore, duke krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor.
Në Atikë, pritet intensifikim i reshjeve dhe stuhive gjatë orëve në vijim, me mundësi të lartë për përmbytje.
Erërat e forta jugore vazhdojnë të godasin Jonin, Atikën, Evian dhe ishujt e Egjeut Lindor, duke krijuar probleme në transportin detar.
Sistemi i emergjencës 112 ka dërguar mesazhe paralajmëruese për banorët e Atikës, Evias dhe Beotisë, duke i këshilluar të kufizojnë lëvizjet vetëm në rastet e domosdoshme. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes maksimal dhe marrjen e masave vetëmbrojtëse, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast emergjencash.
Sipas meteorologëve, fenomenet pritet të fillojnë të zbuten gradualisht të enjten, por reshjet dhe dëbora në zonat malore do të vazhdojnë për shkak të kalimit të vazhdueshëm të sistemeve të ulëta barometrike nga perëndimi. Pavarësisht zbutjes, karakteri dimëror i motit do të mbetet i pranishëm me reshje të shpeshta dhe erëra të forta.
