Debati për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Rama Shoqatës së Prokurorëve: Vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor mbetet e lartë

Rama Shoqatës së

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Shoqatës së Prokurorëve lidhur me debatin publik të ditëve të fundit mes tij dhe Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, mbi kërkesën e këtyre të fundit për rritje pagash.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama e ka cilësuar situatën si një “absurditet total”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë tentativë për uljen e pagave të gjyqtarëve. Sipas tij, vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor ka qenë dhe mbetet e lartë.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim, e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!

Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!

A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!

Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!

Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!

Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re:

Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës,  a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, shkruan Rama.