Debati për emigrantët – Deputeti britanik pranon të vijë në Shqipëri, Rama: Të diskutojmë faktet dhe jo fantazitë

rama anglezi

Vijojnë replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit britanik, Nigel Farage, mbi çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Debati lindi pas qëndrimeve të deputetit britanik, sipas të cilit 1 në 50 shqiptarë emigrantë në Britani është në burg, pretendim që është hedhur poshtë si i pavërtetë nga kreu i qeverisë shqiptare.

Në një postim të fundit në X, Farage thotë se do të vizitojë Shqipërinë për të diskutuar lidhur me emigrantët, duke iu përgjigjur kështu ftesës së kryeministrit Rama. Ai sërish i mëshoi shifrave të tij, dhe duke cituar kryeministrin Rama se në Britani mund të jetojnë më shumë shqiptarë sesa pretendohet në censin britanik, deputeti Farage shton se kjo do të thotë se “edhe numri i kriminelëve është më i madh”.

Nuk mund ta shpik këtë, 1 nga 50 shqiptarë në Britani është në burg. Fola për këtë ditën e kaluar, por Edi Rama, si gjigant që është, kryeministri i Shqipërisë, u kundërpërgjigj duke thënë se po flas broçkulla dhe se shifrat janë të gjitha gabuara. Ai gjithashtu tha: ‘Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil‘.

Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë? Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, e keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar“, thotë Farage.

Në përgjigje të tij, Rama vë në dyshim shifrat e përmendura nga deputeti britanik si kontradiktore.

Nigel, Nigel, Nigel… Nga “një kriminel në pesëdhjetë shqiptarë”, pretendimi juaj tani është shndërruar në: “Ndoshta është një në tre, ndoshta një në katër, nuk e di…” Vërtet?! Nuk e dini? Dhe kjo vjen pasi thoni se i keni kontrolluar dy herë shifrat? Unë tashmë ju drejtova te të dhënat e vetë The Telegraph (me bujari, mund të shtoj) duke zgjedhur referencën tuaj, megjithëse një referencë vetëkontradiktore”, shkruan Rama.

Duke iu referuar shifrave të Ambasadës Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, Rama shkruan se janë mbi 300 mijë shqiptarë që jetojnë në Britani dhe jo 53 mijë, teksa thekson se ata tashmë janë integruar në shoqërinë britanike, duke dhënë kontribute të rëndësishme.  

Por dukeni të vendosur të vazhdoni në gabim. Pra, më lejoni t’ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme. Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë ta ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000. Në realitet, z.Nigel_Farage

E di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, që ndërtojnë shtëpitë tuaja, që kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Ata nuk janë mish për dhëmbët e propagandës së shpëlarjes së trurit pas Brexit-it. Ata janë pjesë e strukturës së gjallë dhe që merr frymë e shoqërisë suaj. Edhe pa kontrolluar moshën, gjininë apo statusin socioekonomik, raportet tuaja bien. As një në pesëdhjetë. Dhe sigurisht jo një në tre ose katër. Këto nuk janë statistika, janë taktika frikësimi të maskuara si të dhëna. Pra, më lejoni t’ju pyes qartë: pse është kaq e vështirë të pranosh se ke gabuar, pa zvarritur në baltë një komunitet të tërë njerëzish të shkëlqyer dhe punëtorë që i shërbejnë atdheut tënd me dinjitet sikur të ishte i tyri? Britania është tashmë e madhe dhe jo më pak për shkak të diversitetit, qëndrueshmërisë dhe forcës së saj shumëkulturore. Një komb në stres politik post-traumatik nuk ka nevojë për kurbane. Nuk ka nevojë për goditje të kota. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për mite në vend të fakteve”, thekson kreu i qeverisë shqiptare.

Lidhur me vizitën e deputetit britanik në Shqipëri, Rama thotë se e mirëpret, por shton se ata duhet të diskutojnë lidhur me faktet “dhe jo fantazitë tuaja pas së vërtetës”.

Shpresoj sinqerisht që vizita juaj e ardhshme në Shqipëri t’ju frymëzojë të luftoni për ide, në vend që të luftoni kundër njerëzve – në frymën e traditës së madhe liberale për të cilën vendi juaj ka qëndruar prej kohësh. Pres me padurim t’ju mirëpres në vendin tonë të bukur si mysafir nderi. Por, përpara se të arrini për të shijuar diellin e vërtetë dhe mikpritjen e sinqertë, a mund të biem dakord të diskutojmë faktet, jo fantazitë tuaja pas së vërtetës? Le të caktojmë datën”, përfundon Rama reagimin e tij.