“Dasma e Skënderbeut” në Shkodër – Të ardhurat e grumbulluara do të shkojnë për personat me aftësi ndryshe

dasma e skenderbegut

Pas disa ndalesave, ku më e fundit ishte në Austri pak ditë më parë, të rinjtë amatorë nga Vau Dejës e sollën Dasmën e Skënderbeut edhe në Shkodër.

Shfaqja e veçantë u plotësua me një program të larmishëm artistik me humor dhe këngë në sallën “Mikel Koliqi” të Famullisë “Zoja e Shkodrës”.

E veçantë është se ky inskenim artistik iu dedikua personave me aftësi ndryshe dhe të ardhurat do të shkojnë për ta, shprehen organizatorët.

Antonio është djaloshi që luan rolin e Skënderbeut dhe ndihet mirë që i është bashkuar kësaj kauze.

Në Bashkinë Vau Dejës llogariten rreth 300 persona me aftësi ndryshe dhe kjo iniciativë e organizatorëve të shfaqjes jep mesazhin e solidaritetit dhe përkrahjes për këtë shtresë të shoqërisë.

 Inskenimi i Dasmës së Skënderbeut do të vijojë edhe në vende të tjera.