DASH anulon mbi 100 mijë viza në 2025, pas urdhrit ekzekutiv të Trump
Departamenti i Shtetit të SHBA-së anuloi më shumë se 100 mijë viza të huaja gjatë vitit 2025, më shumë se dyfishi i shifrës së vitit 2024, që shënoi 40 mijë revokime. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe vjen pas urdhrit ekzekutiv të ditës së parë të Presidentit Donald Trump, që lidhet me verifikimin e shtetasve të huaj.
Sipas të dhënave zyrtare, shumica e vizave të revokuara u përkisnin udhëtarëve për biznes dhe turizëm, të cilët kishin tejkaluar afatin e qëndrimit të lejuar. Megjithatë, rreth 8 mijë studentë dhe 2,500 punëtorë të specializuar humbën gjithashtu statusin e tyre ligjor.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit bëri me dije se shumica e studentëve dhe punëtorëve, të cilëve iu revokuan vizat, kishin pasur përplasje kriminale me forcat e ligjit. Mes punonjësve të specializuar, rreth 50% e revokimeve u bazuan në arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% për akuza për sulm, dhunë fizike ose burgim, ndërsa 20% e mbetura lidhen me vepra të tjera penale si vjedhje, abuzim me fëmijë, shpërndarje dhe abuzim me substanca narkotike, si dhe mashtrim financiar.
Sipas Departamentit të Shtetit, gati 500 studentë humbën vizat për posedim dhe shpërndarje droge, ndërsa qindra punëtorë të huaj u penalizuan për dyshime të lidhura me abuzim të fëmijëve.
Në gusht të vitit 2025, administrata Trump njoftoi se po shqyrtonte statusin e të gjithë 55 milionë shtetasve të huaj që posedojnë viza të vlefshme amerikane. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e Sekretarit Marco Rubio, ka zbatuar standarde më të rrepta për marrjen dhe ruajtjen e vizave amerikane.
