Danimarka merr presidencën e BE-së, siguria evropiane prioritet kryesor

Danimarka merr presidencën

Danimarka ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian, ku siguria dhe mbrojtja janë dy prioritetet kryesore të agjendës së saj.

Kryeministrja Mette Frederiksen deklaroi se përparësi do t’i jepet rritjes së aftësive mbrojtëse në Evropë mes luftës së Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimeve të SHBA-së ndaj Groenlandës, një territor autonom danez.

“Ne duam diçka me presidencën tonë. Siguria është përcaktuar qartë si përparësia kryesore. Ne kemi një objektiv të ri të NATO-s që është miratuar. Që kjo të ndodhë, ne duhet ta riarmatosim Evropën. Pasi të jetë vendosur objektivi i NATO-s, shumica e gjërave të tjera varen nga politika e BE-së”, tha ajo. Danimarka është midis vendeve evropiane të vënë në rrezik nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe të cilat tashmë kanë rritur shpenzimet ushtarake.

Si kryesues i radhës i BE-së, vendi nordik, që është edhe një nga donatorët më të mëdhenj evropian të Kievit,  synon realizimin e planeve për rritjen e aftësive mbrojtjes të BE-së duke thjeshtuar procedurat dhe duke iu ofruar vendeve anëtare hua për financimin e investimeve në industrinë e mbrojtjes.

 “Situata e sigurisë së Evropës është e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Nëse shohim historinë e europës, kuptojmë se konfliktet përhapen. Ka kaq shumë tension në ditët e sotme që mund të shtohet më shumë”, theksoi Frederiksen.

Në programin e presidencës së saj gjashtëmujore me titull një Europë e fortë në një botë që po ndryshon, Kopenhagën gjithashtu i ka dhënë prioritet luftës kundër migracionit të jashtëligjshëm, duke u zotuar se do të paraqesë zgjidhje të reja në këtë drejtim, si arritja e një konsensusi përsa i përket ndërmarrjes së procedurave të azilit jashtë territorit të bllokut, si dhe që të kufizojë fushën e veprimit të vendimeve të gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut.

Anëtarët e NATO-s ranë dakord javën e kaluar të investojnë 3.5 përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB) në shpenzimet kryesore ushtarake dhe 1.5 përqind në fusha më të gjera të lidhura me sigurinë, siç është infrastruktura, deri në vitin 2035. Spanja e ka quajtur qëllimin “të paarsyeshëm” dhe ka kërkuar fleksibilitet.