Danimarka mbështet Shqipërinë drejt BE, presidenca daneze i bën thirrje partive për unitet politik në procesin e negociatave
Presidenca daneze e Bashkimit Evropian ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e Shqipërisë në procesin e hapjes së negociatave me BE-në. Në një raport para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, e përshkroi progresin e Shqipërisë si mbresëlënës dhe të jashtëzakonshëm.
“Ne mirëpresim hapjen e 4 grupkapitujve për negociatat nga tetori 2024 në maj 2025, që përbëjnë një total mbresëlënës prej 24 kapitujsh. Një rezultat e jashtëzakonshme. Ne mbështesim objektivin e Shqipërisë për të vijuar në këtë rrugë dhe inkurajojmë të gjithë forcat politike të ndjekin planin ambicioz për mbylljen e procesit të negociatave. Në presim të hapim edhe 2 grupkapitujt e tjerë sa më shpejt të jetë e mundur kur të arrihen kushtet. Ne gjithashtu mezi presim të mbajmë konferencën e 4 ndërqeveritare për të hapur grupkapitullin 4, që ka të bëjë me agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme”, tha ajo.
Ministja Bjerre theksoi se qëllimi i presidencës së Danimarkës është që vendet kandidate të afrohen gradualisht dhe me qëndrueshmëri me Bashkimin Evropian.
“Objektivi i Presidencës daneze është që të avancojë me negociatat me të gjithë kandidatët. Presidenca do të vijojë gjithashtu të shikojë mundësitë për integrimin gradual të kandidatëve dhe të rrisë bashkëpunimin me to. Duke i lejuar vendet kandidate të marrin pjesë në çështje të ndryshme politike të Bashkimit Evropian dhe programe para anëtarësimit të plotë ne ngushtë diferencat dhe i afrojmë këto vende më afër anëtarësimit”, theksoi ajo Danimarka mori nga Polonia Presidencën e Bashkimit Evropian më 1 korrik dhe do ta mbajë deri në fund të vitit.
