Dalja e trenit nga shinat në Gjermani, 3 viktima dhe mbi 50 të plagosur, shkaku i mundshëm i aksidentit
Tre viktima dhe mbi 50 të plagosur është bilanci i ngjarjes së regjistruar një ditë më parë në Gjermani, ku një tren rajonal me shpejtësi të lartë ka dalë nga shinat në Baden-Württemberg.
Sipas vlerësimeve paraprake nga autoritetet gjermane, shkak i daljes së trenit nga shinat, dyshohet të kenë qenë reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje toke.
Policia tha se dy vagonë dolën nga shinat në orën 19:05 (GMT) ndërsa treni po udhëtonte në një zonë të pyllëzuar midis Riedlingen dhe Biberach, rreth 45 kilometra në juglindje të Ulmit.
“Zona është goditur nga stuhi të forta që nga dje dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që dalja nga shinat të jetë shkaktuar nga një rrëshqitje dheu”, tha Ministri i Brendshëm i Baden-Württemberg, Thomas Strobl.
Një zëdhënës i zjarrfikësve tha se në tren ndodheshin 100 persona, nga të cilët 50 u plagosën. Midis viktimave ishte edhe një punonjëse e Hekurudhave Gjermane (DB).
Kancelari Friedrich Merz u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave nëpërmjet X, duke theksuar se u kishte kërkuar Ministrive të Transportit dhe Brendshme të mbështesnin ekipet e shpëtimit me të gjitha mjetet e disponueshme.

