Dajçi, destinacioni i ri turistik në brigjet e Bunës / Plazhe natyrore, gjelbërim dhe qetësi mes bukurive të rralla të Shkodrës

buna dajc

Zona e Dajçit, në brigjet e lumit Buna, është shndërruar vitet e fundit në një tjetër destinacion të preferuar turistik  gjatë verës, jo vetëm për banorët nga Shkodra, por edhe për turistë të huaj që kërkojnë natyrën e paprekur dhe qetësinë larg zhurmës urbane.

Panorama mbresëlënëse që ofron kjo zonë, me gjelbërim të dendur, pemë të larta që krijojnë hije natyrore dhe ujin e pastër të lumit Buna, ka kthyer këtë hapësirë në një parajsë të vogël natyrore.

Disa banorë kanë ngritur biznese të vogla familjare, duke ofruar ushqime tradicionale dhe mikpritje për këdo që ndalet këtu.

Plazhet e vegjël përgjatë rrjedhës së Bunës në Dajç kanë rikthyer tek vendasit nostalgjinë e verave të dikurshme, kur noti në lumin e fshatit ishte pjesë e pandashme e jetës.

 Sot, kjo hapësirë është një gji i qetë e i mbrojtur, ku dhjetëra vizitorë gjejnë freski, relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën.