Ç’ndodhi 3 ditë para dorëzimit të këngës? Fifi për kritikat: “Nuk ma gilixon”! Tiri: Synojmë fitore!

fifi

Fifi dhe Tiri Gjoci kanë bashkuar forcat në një duet në Festivalin e Këngës në RTSH. “Rri” është shkruar nga Fifi dhe Tiri në nota, me tekst të Fifit dhe orkestrim nga Enis Mullaj.

Të ftuarit e Andri Xhahut sot në emisionin “Në Radio”, artistët tregojnë se si e gjetën njëri-tjetrin artistikisht. “Ishte shumë e natyrshme, prej nga Kënga Magjike vitin e kaluar, ku unë dhe Tiri kurorëzuam shoqërinë. Tiri dhe kitarja e tij më kanë inspiruar shumë për të krijuar muzikë të re. Kemi krijuar projekte interesante deri sa erdhi ftesa për Festivalin e 64-t”, tha Fifi e cila zbulon se kënga fillimisht u shkrua që të interpretohej vetëm nga Tiri. “I kam deleguar festivalit që do e sjell Tirin me një super këngë. Më pas ka filluar të më pëlqejë kënga aq shumë. Nisën të më bindin Adisi dhe producenti Enis Mullaj që të isha pjesë e festivalit. U binda tre ditë përpara se të dorëzoja këngën”.

Tiri shprehet se dëshironte dhe shpresonte që Fifi të ishte pjesë e kësaj kënge edhe si interpretuese. “Duke qenë se ditët po kalonin thashë që është shkruar që këngën ta këndoj vetëm unë. Por më bënte përshtypje që Fifi kishte përdorur dialekt në tekst. Të ishim të dy bën sens, por vetëm unë të këndoj në dialekt më dukej e çuditshme”.

Fifi: “I thashë: ‘Eja pak në studio të ndajmë pjesët që do këndojmë. ‘Pjesët e tua?!’, aq ishte reagimi i Tirit.”

Sipas Fifit, teksti e ka lodhur pasi i është dashur të gjejë një të mesme mes fjalëve të kënduara prej saj dhe Tirit. “Mendoj që ia kam arritur qëllimit. Kam bërë vetëm një pyetje: Në çfarë gjendje janë momentalisht të rinjtë? Kam parë që në këtë periudhë po vuajnë shumë. Adoleshenca i ka kapur pak rëndë, nuk është njëjtë si adoleshenca në kohën tonë që kemi qenë të hareshëm”.

Artistët zbulojnë se kënga është pritur shumë mirë, por kanë edhe një përgjigje për komentet negative.

Fifi: “Njerëzit po më dërgojë çdo ditë video që janë duke e kënduar këngën, që janë duke e shijuar. Kam mesazhe pozitive të pafundme nga gjenerata të ndryshme. Ka dhe ‘haters-a’ që shkruajnë që kënga nuk bën, po nuk është që ma gilixon”.

Tiri: “Më pëlqen që njerëzit hynë enkas për të shkruar që ju më pëlqeni por këtë herë kënga s’më pëlqen. Po nuk të komentuan dhe të shanë do të thotë që ka një gjë që nuk shkon. Dikush që realisht nuk e pëlqen këngën thjesht e kalon”.

Fifi shprehet se të këndosh në një skenë me Orkestrën Simfonike të RTSH të bën të ndihesh artist, të jep madhështi. Por nuk zbulojnë shumë detaje nga performanca skenike. “Do mundohemi të jemi shumë minimalistë këtë here. Dua t’ia lë fokusin këngës dhe neve të dyve si artistë. Në momentin që ne të dy dalim mirë, të tjerat janë kamuflime. Më mirë pastër, bukur, unë dhe Tiri, të këndojmë mirë se këngën e kemi zjarr”, tha Fifi.

Pyetur për pritshmëritë nga pjesëmarrja në Fest64, ata shprehen. “Synimet i kam të qarta. Kushdo që merr pjesë në festival, dëshiron të fitojë. Është si të duash të luash futboll dhe të mos duash të bësh gol”, tha Tiri, ndërkohë Fifi shton: “Fitoftë më i miri. Nëse është dikush më i mirë se ne, të betohem, do jem shumë mirë. Nëse e meritojmë ne… që besoj ne e meritojmë (qesh)”.