Çmimet e barnave të rimbursueshme, Shëndetësia: S’ ka rritje për barnat alternativë e vetme
Ndryshimi i çmimeve të rreth 40 barnave të listës së barnave të rimbursueshme për vitin 2026, të cilat tashmë janë të aplikueshme në sistem, kanë sjellë pështjellim tek farmacistët. Çmimi i tyre në sistem rezulton më i ulur dhe farmacitë nuk kanë dijeni për çmimet e reja. Në një deklaratë zyrtare ata theksuan se aplikimi është bërë pa njoftim zyrtar nga Fondi duke mos ju lënë kohë atyre të marrin masa për pasqyrim dhe të reduktojnë stokun e barnave të blera me çmime më të lartë.
“Kjo situatë tuhet ka shkaktuar vështirësi serioze në furnizimin e farmacive, pasi barnat të cilave u është ndryshuar çmimi po faturohen me çmimet e mëparshme, duke sjellë dëme financiare të konsiderueshme dhe bllokim të punës së përditshme. Theksojmë se kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre“
Ministria e shëndetësisë përmes një reagimi zyrtar informon se Komisioni i Çmimit të Barnave ka miratuar ndryshimet duke u bazuar në metodologjinë në fuqi. Sipas ministrisë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri kanë pasur afat deri më 31 tetor 2025 të dorëzojnë çmimet “CIF” , ndërsa për barnat të cilat kanë qenë në proces të pajisjes me autorizim ose rinovim autorizimi për tregtim dhe që e kanë deklaruar këtë çmim brenda kësaj date, janë lejuar të aplikojnë për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme, deri në momentin e fillimit të procedurës së rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi
“Në bazë të kuadrit ligjor në fuqi, data 31 dhjetor 2025 ka qenë afati i fundit për miratimin të çmimeve të barnave, listë e cila i është përcjellë zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor . Fondi si hap të parë ka reflektuar me efekt të menjëhershëm uljen e çmimeve për barnat alternativë e vetme të Listës së Barnave të Rimbursueshme në fuqi. Kjo praktikë është e ndjekur prej vitesh dhe është e njohur nga subjektet tregtare farmaceutike“
Minsitria e shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të mos mashtrohen nga lajmet e pavërteta: “barnat që ndodhen aktualisht në qarkullim në treg janë të pajisura me pullën e çmimit të viteve të mëparshme, ndërsa pulla për listën e çmimeve të barnave për vitin 2026 do të ketë çmimin e ri, i cili është më i ulët se viti i kaluar“- sqaron ministria.
