Çfarë është mikrogjumi dhe pse duhet të kujdeseni për të?

Gjumi, një proces natyral dhe jetik për shëndetin mendor dhe fizik, po analizohet gjithnjë e më shumë nga ekspertët e mjekësisë moderne jo vetëm për funksionin e tij ripërtëritës, por edhe për fenomenet e lidhura me mungesën e tij, siç është dremitja (mikrogjumi).
Sipas specialistëve, mikrogjumi është një gjendje e shkurtër, e pavetëdijshme, që ndodh zakonisht gjatë lodhjes ekstreme ose në situata monotone, kur truri “fiket” për disa sekonda. Kjo ndodh shpesh tek persona që vuajnë nga pagjumësia, stresi kronik apo çrregullime të tjera të gjumit, si apnea.
Një studim i publikuar nga revista Human Brain Mapping thekson se gjatë dremitjes, jo i gjithë truri bie në gjumë, por vetëm disa zona specifike dhe shpesh pa e vënë re personi. Kjo gjendje është veçanërisht e rrezikshme kur ndodh gjatë drejtimit të makinës apo përdorimit të makinerive të rënda, pasi edhe një sekondë humbje e vetëdijes mund të ketë pasoja fatale.
Ekspertët theksojnë se mënyra më e mirë për të parandaluar mikro-gjumin është gjumi i mjaftueshëm dhe cilësor, duke rekomanduar të paktën 7–9 orë gjumë çdo natë dhe një rutinë të qëndrueshme pushimi.
Kohëzgjatja e gjumit sipas moshës:
Të porsalindurit (0 deri në 3 muaj): 14 deri në 17 orë.
Bebet (4 deri në 11 muaj): 12 deri në 15 orë
Fëmijët (1 deri 2 vjeç): 11 deri në 14 orë
Parashkollorët (3 deri në 5 vjeç): 10 deri në 13 orë
Mosha e shkollës (6 deri 13 vjeç): 9 deri në 11 orë
Adoleshentët (14 deri në 17 vjeç): 8 deri në 10 orë
Të rinjtë (18 deri në 25 vjeç): 7 deri në 9 orë
Të rriturit (26 deri 64 vjeç): 7 deri në 9 orë