Çelja e grup-kapitullit II, Spiropali: Hap frymëzues për Shqipërinë 2030 në BE

Shqipëria shënoi dje (14 prill) një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, me çeljen e grup-kapitullit të dytë të negociatave, “Tregu i Brendshëm”, gjatë Konferencës së katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e përshkroi çeljen e negociatave për grup-kapitullin “Tregu i Brendshëm”, si një moment frymëzues për projektin “Shqipëria 2030 në BE”. Ajo përgëzoi ekipin negociator, institucionet përkatëse dhe të gjithë kontribuesit për arritjen e këtij suksesi, duke theksuar se ylli i Shqipërisë po i bashkohet yjeve të Europës.
“Do të vijojnë të kenë mbështetjen e pakursyer të Kuvendit, që jo thjesht të shpejtojmë, por të vrapojmë drejt bashkimit me familjen tonë europiane,” deklaroi Spiropali.
Në përmbyllje të konferencës së djeshme, Kryeministri Edi Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të çuar përpara procesin e integrimit me synimin ambicioz për mbylljen e të gjithë grup-kapitujve deri në vitin 2027.
Ky zhvillim i fundit konfirmon progresin e qëndrueshëm të vendit në rrugën e integrimit dhe angazhimin për të përmbushur kriteret e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Grup-kapitulli i Tregut të Brendshëm përfshin:
1. Lëvizjen e lirë të mallrave
2. Lirinë e lëvizjes së punonjësve
3. Të drejtën e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve
4. Lëvizjen e lirë të kapitalit
5. Të drejtën tregtare
6. Të drejtën e pronësisë intelektuale
7. Politikën e konkurrencës
8. Shërbimet financiare
9. Mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit